Vrasja brutale e një folëseje televizive ka tronditur të gjithë Bullgarinë, e ka sjellë një valë reagimesh të menjëhershme, përfshirë atë të OSBE-së që bëri thirrje urgjente për një hetim rrënjësor të ngjarjes së rëndë.

“Personat përgjegjes duhet të përballen me drejtësinë”, thuhet në deklaratën e lëshuar prej Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Europë. Federata europiane e Gazetarëve shkruan në “Twitter” se lajmi i fundit me të cilin po merrej Viktoria Marinova lidhej me korrupsionin shtetëror.

Trupi i pajetë i 30-vjeçares gazetare, folëse dhe drejtoreshë administrative e televizionit lokal “TVN”, u gjet pranë brigjeve të lumit Danub në qytetin verior Ruse. Ajo ishte përdhunuar, rrahur e më pas mbytur.

Shume prej objekteve të saj personale mungonin, kur një kalimtar i rastit e gjeti në një zonë të mbuluar nga bari. Por, ndonëse kjo e bën të duket si një sulm të rastësishëm, ka zëra që thonë se vrasja e Marinovës lidhet me punën e saj.

Lexo edhe:
Bullgari, vritet një gazetare investigative

Kreu i zyrës së Prokurorisë në Ruse, Georgi Georgiev, si dhe drejtues të policisë thanë se të gjitha opsionet mbeten në tryezë, e se për këtë ngjarje do të hetohet çdo pistë e mundshme.

Faqja bullgare e internetit “Terminal 3” shkruan se në raportimin e saj të fundit, gazetarja kishte bashkëpunuar me reporterin investigativ rumun, Atila Biro, dhe një koleg bullgar, Dimitar Stoyanov. Ata kanë dashur të zbulojnë përse u arrestuan dy gazetarët nga policia pranë qytetit Radomir, në jug të Sofjes, ndërsa po hetonin mbi shkatërrimin e disa dokumenteve, që thuhej se implikonin kompaninë e infrastrukturës “GP Group” në manipulimin e tenderave të BE-së.

Marinova është gazetarja e tretë që vritet në Bashkimin Europian brenda më pak se një viti pas Daphne Caruana Galizia në Maltë dhe Jan Kuciak në Sllovaki.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA