Kukësi-Partizani është sfida që mbyll javën e 8 të Kategorisë Superiore. Skuadra kuksiane vjen në këtë ndeshje pas humbjes së pësuar me Skënderbeun dhe tani është 3 pikë larg të kuqve të Skënder gegës. Trajneri Cungu deklaroi se optimizmi në skuadër është i lartë dhe se nuk i druhet kryeqytetasve.

“Shoh optimizëm te lojtarët dhe shpresojmë që ta shprehim edhe në fushën e lojës. Kjo ndeshje me Partizanin i ka të 3 rezultatet brenda, por ajo që më kënaq është marrja e 3 pikëve. E kam theksuar gjithmonë se unë si trajner gjithnjë preferoj fitoren pavarësisht kundërshtarëve. Partizanin e njohim, i dimë pikat e forta dhe të dobëta të tij, por fjala druajtje nuk ka vend në ekipin tonë, as tek unë e as te lojtarët”, tha Armando Cungu/trajner i Kukësit.

Ndërkaq, në ambientet e klubit u dha edhe çmimi për futbollistin më të mirë të muajit shtator në Superiore, çmim që i shkoi sulmuesit Reginaldo

“Ky çmim është për të gjithë skuadrën që dua ta falenderoj. Do të vazhdoj të stërvitem akoma më shumë, pasi skuadra është më e rëndësishme sesa unë, gjithsesi, unë jam i lumtur për këtë çmim”, tha Reginaldo, futbollist i Kukësit.

Ndeshja mes Kukësit dhe Partizanit do të luhet ditën e hënë në stadiumin “Elbasan Arena”.

Top Channel