Pas 9 mujash, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë i rikthehet këtë të dielë importit të energjisë elektrike.
Janë rreth 9,3 milionë euro që janë tenderuar nga OSHEE për të blerë 112 mijë megavat/orë energji elektrike nga 7 deri më 20 tetor. Çmimi mesatar për orët e pikut është rreth 92 euro për megavat/orë dhe 77,4 euro për megavat/orë për pjesën tjetër të ditës. Energjia do të blihet nga 6 kompani dhe, sipas Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, importet po bëhen për të balancuar sistemin në kushtet kur rezerva hidrike në kaskadën e Drinit duhet menaxhuar në pritje të sezonit të shirave.
Krahasuar me një vit më parë, kemi përmbysje të raportit të bilancit të energjisë elektrike. Thatësira e vitit 2017 e detyroi OSHEE-në që të blinte në tregun e huaj mbi 200 milionë euro energji për të plotësuar nevojat e vendit. Por, këtë vit situata ka qenë krejt ndryshe. Shqipëria përfitoi 42 milionë euro nga eksporti i energjisë elektrike vetëm në 4 muajt e parë të vitit.
Pas krizës së thellë që kaloi vitin e kaluar, sektori energjetik po përjeton një moment pozitiv falë reshjeve të shumta dhe situatës së mirë hidrike. Instituti i Statistikave raporton se në 3-mujorin e parë, Shqipëria prodhoi dy herë më shumë energji krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, OSHEE-ja po planifikon tendera importi me frekuencë 2-javore, në varësi të kushteve hidrike në kaskadën e Drinit.
Top Channel