Maratona e Tiranës ia ka dalë në një kohë të shkurtër, vetëm 3-vjeçare, që të fitojë prestigjin e një gare ndërkombëtare.
Ditën e diel, vrapues vendas dhe të huaj do të marrin pjesë në garë, duke përshkuar disa nga pikat kryesore të kryeqytetit, maratonë për të cilën do të ketë masa të shumta sigurie dhe bllokim të qarkullimit të automjeteve në shumë akse kryesore të kryeqytetit.
Mes garuesve të shumtë të huaj, që kanë shprehur dëshirën për të vrapuar në Maratonën e Tiranës, është edhe Nicola Mazzonetto, i njohur si italiani i parë që ka përfunduar dy herë maratonën kryesore “Six Mayor Marathon”, cikli botëror të cilin tashmë po e tenton për herë të tretë dhe që përfshin maratonat e Tokios, Bostonit, Londrës, Berlinit, Çikagos dhe Nju Jorkut.
Sa i përket tentativës së tretë, Mazzonetto ka garuar për vitin 2018 në maratonën japoneze, ato angleze, në maratonën gjermane, e duke nisur nga ky moment deri në vitin e ardhshëm do të plotësojë ciklin me 3 edicionet amerikane.
Nicola Mazzonetto është njëkohësisht edhe drejtor i “Confservizi Veneto”, shoqata e shërbimeve publike me 15 mijë punonjës, që ofrojnë shërbime publike për 4 milionë e gjysmë qytetarëve të Venetos, ku janë shtuar 60 milionë turistë. Ato janë shërbime thelbësore për cilësinë e jetës dhe kanë të bëjnë me një gamë të gjerë sektorësh, nga cikli i integruar i ujit, në menaxhimin e mbeturinave, nga transporti publik lokal, në parqet e makinave, e deri te shpërndarja e gazit, në prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, si dhe ndriçimin e administratës publike e menaxhimin e ngrohjes.
Top Channel