Maratona e Tiranës çeli këtë të shtunë siparin e saj me kategorinë “Fun Run”, ku qindra nxënës të shkollave 9-vjeçare të Tiranës vrapuan në bulevardin kryesor të qytetit. Gara, që i parapriu Maratonës që zhvillohet të dielën në orën 9:00, kishte për qëllim edukimin e të rinjve për një jetë aktive.
Në përfundim të saj, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi ndau çmimet për fituesit, ndërsa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të kontribuojnë për mbarëvajtjen e aktivitetit më të madh sportiv të zhvilluar në Shqipëri.
“Nesër do të mbahet një ngjarje shumë e rëndësishme. Tirana do të mirëpresë vrapues nga 40 vende të botës. Do t’iu ftoja që të gjithë të bëhemi pjesë e Maratonës, qoftë duke ndihmuar vullnetarët, qoftë vrapuesit e huaj. Është gjëja më e mirë që qyteti po mirëpret një ngjarje sportive të përmasave ndërkombëtare”, tha Seferi.
Ai renditi disa nga nismat dhe projektet e Bashkisë së Tiranës për mbështetjen e sportit dhe theksoi se është e nevojshme që të rinjtë të orientohen drejt aktiviteteve sportive për një jetë më të shëndetshme.
“Duhet të bëjmë të mundur që Tirana të kthehet në një pikë shumë të rëndësishme jo vetëm të turizmit, por edhe të sportit. Është mënyra më e mirë që ju të merreni sa më shumë me sport. Duke nisur nga Parku i Liqenit, te pistat e vrapimit, nga korsitë e biçikletave, Bashkia e Tiranës po krijon mundësi që ju të rriteni shëndetshëm”, nënvizoi ai.
Maratona e këtij viti do të përshkojë edhe disa nga pikat më tërheqëse dhe panoramike të Tiranës, siç është pjesa përreth Liqenit Artificial, ndryshe nga dy edicionet e kaluara.
Me qëllim organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit më të madh sportiv që zhvillohet në vendin tonë, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë hartuar një plan masash për organizimin e lëvizjes së automjeteve gjatë zhvillimit të maratonës. Nënkryetari i Bashkisë kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për devijimin e qarkullimit të automjeteve dhe, për ta kthyer këtë garë sportive në një ditë feste për qytetin i ftoi ata të mbështesin sportistët pjesëmarrës.
Pjesëmarrësit në garë do të kenë mundësi që të garojnë në 3 kategori: Half Marathon (21.975 km), “Tirana 10K” dhe “Ëe too”, një kategori kjo që ka për qëllim të jetë më shumë motivuese sesa konkurruese. Përveçse një ngjarje sportive për garuesit, Maratona e Tiranës është edhe një mundësi fantastike për promovimin e qytetit te turistët e tuaj, duke e futur kryeqytetin në hartën e vendeve më tërheqëse në botë e duke gjeneruar ekonominë e turizmit.
Top Channel