Gjykata e Durrësit lë në burg tatimorët zhvatës. Të arrestuar tri ditë më parë me vendim gjykate, Gentian Elezi dhe Artan Kroj u përballën me gjyqtaren Nurjeta Tafa, për vlerësimin e masës së sigurisë të caktuar më parë për ta.

Dy inspektorët e hetimit tatimor nga Tirana kërkuan hetim në gjendje të lirë, por Gjykata e Durrësit e çmoi si të ligjshëm arrestimin e Elezit dhe Krojit dhe vendosi zbatimin e vendimit të marrë paraprakisht për ta, “arrest në burg”.

Ata u prangosën mbi bazën e denoncimeve dhe hetimeve paraprake, nga të cilat rezultoi se në bashkëpunim me një të tretë, që është ende në kërkim, kryenin akte korruptive, duke marrë ryshfet deri në 200 mijë lekë për çdo biznes ku konstatonin parregullsi.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “shpërdorim të detyrës” dhe “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, akte këto që janë konsumuar prej tyre gjatë sezonit turistik, periudhë kur Tatimet ndërmorën një aksion të gjerë kontrollesh në bregdet, me qëllim uljen e informalitetit dhe goditjen e evazionit fiskal gjatë sezonit turistik.

Në Durrës pati disa subjekte, kryesisht restorante dhe bare, të cilave iu bllokua aktiviteti për 30 ditë për mosdhënie të kuponit tatimor. Shumë subjekte u gjobitën për të njëjtën shkelje. Pati dhe nga ato që u toleruan në këmbim të pagesave nën dorë, nga disa prej inspektorëve të grupeve të kontrollit që zbarkuan në bregdet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA