Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i sapokthyer nga vizita e tij në Shtetet e Bashkuara, ka bërë të ditur se ka marrë “bekimin” e Amerikës për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

Deklarata e tij është mbështetur këtë të premte edhe nga Ambasada amerikane në Prishtinë, që ka njoftuar se e mbështesin krijimin e ushtrisë së Republikës së Kosovës, por duke folur për një ushtri me mandat të kufizuar vetëm për vetëmbrojtje territoriale.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbështesin tranzicionin e disiplinuar dhe transparent të FSK-së në ushtri profesionale, shumetnike dhe në bashkëpunim me NATO-n, me një mandat të kufizuar për vetëmbrojte territoriale. Asnjë vend nuk mund ta përdorë veton për këtë tranzicion”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane në Kosovë.

Sipas selisë diplomatike amerikane, ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të ketë parasysh natyrën shumetnike, pa harruar që çdo gjë duhet të koordinohet me aleatët dhe NATO-n.

“Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë të Kosovës, që të sigurohen se ky proces do të vazhdojë në mënyrë gjithëpërfshirëse, të pasqyrojë natyrën shumetnike të Kosovës. Është thelbësore që Kosova, nga ky moment e tutje, të jetë e koordinuar ngushtë me aleatët e NATO-s dhe se duhet të angazhohen deri në tranzicion me të gjithë qytetarët”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA.

Komisioni për Punët e Brendshme, Sigurinë dhe Mbikëqyrjen e Asamblesë së Forcës së Sigurisë së Kosovës ka miratuar para dy ditësh propozimet për 3 projektligjet, përmes të cilave do të bëhet shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

Gjatë vizitës në Amerikë, kryeministri Ramush Haradinaj u takua edhe me Sekretarin e Mbrojtjes, James Matiss, duke marrë mbështetjen e tij për të vazhduar përpara me formimin e ushtrisë. “Kosova ka bekimin e Shteteve të Bashkuara, Ministrisë së Mbrojtjes, për ushtrinë e Kosovës. Është mbështetja më e mirë që sjellim nga Amerika këtë kohë”, ka deklaruar Haradinaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA