Në kërkim një komando. Vrau truprojën e Ervis Martinajt. Në kërkim edhe Ervin Mata

05/10/2018 19:47

Përplasja e armatosur në bllok nuk ishte një pritë. Armët thuhet se u shkrepën për ngacmimin e këngëtares Elvana Gjata. Ndërkohë, ndonëse të plagosur, policia arrestoi Ervis Martinajn dhe Eljon Haton. Gjithashtu, në kërkim është shpallur i dashuri i këngëtares, Ervin Mata si dhe dy persona të tjerë që e shoqëronin.

Paraditen e kësaj të premte, policia dha një version zyrtar të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së enjtes në bllok. Sipas policisë, nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Fabiol Gaxha, 28 vjeç dhe u plagosën Ervis Martinaj, 36 vjeç dhe Eljon Hato, 28 vjeç nga Shkodra.

Që të dy të plagosurit janë arrestuar nga policia në flagrancë dhe ndodhen në spital për kurim. Tre persona të tjerë të përfshirë në përplasjen me armë janë shpallur në kërkim. Policia jep vetëm incialet e tyre. E.M., 31 vjeç, F.A., 42 vjeç dhe M.B., 41 vjeç. Ndërsa paraditen e së premtes policia kërkoi informacion nga ata që ishin në lokalin e njohur në bllok, mes të cilëve edhe këngëtarja e njohur, i dashuri i së cilës është shpallur në kërkim.

Policia në ambientin prive të lokalit në bllok sekuestroi edhe një armë zjarri pistoletë “Glock”, 11 gëzhoja të disa armëve, 10 mijë euro, automjete dhe aparate celular. Sipas policisë, të përfshirët në ngjarjen e djeshme në rrugën “Ibrahim Rugova” janë konfliktuar në ambientet e brendshme të një lokali duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit.

Në një tjetër pistë që po hetohet, bëhet fjalë për persona të tjerë të pranishëm në vendin e ngjarjes, të cilët gjatë një bisede për një borxh në shuma të mëdha, janë konfliktuar me fjalë e më pas janë përleshur duke shkuar deri te përdorimi i armëve.

Policia është shumë më e rezervuar në këtë pistë, ndërsa puna për zbardhjen e rrethanave të saj po vijon.

Top Channel