Në Muzeun e kristaleve dhe mineraleve në Stantërg të Mitrovicës mund të shohësh të ekspozuara gurë e minerale nga më unikët në Europë, shumë të çmueshëm po ashtu.

Muzeu konsiderohet si krenaria e Kosovës, për shkak të bukurisë së kristaleve dhe mineraleve të ndryshme, dhe është hapur në vitin 1964.

Me kalimin e viteve, ai ka kaluar edhe periudha të vështira, por në vitin 2012, Qeveria e Kosovës vendosi ta rindërtojë atë. Sidoqoftë, vizitorët nuk janë të shumtë.

Drejtori i Muzeut, Rasim Veseli thotë se, 95 për qind e gurëve dhe mineraleve të ekspozuara, që në total janë 2.000, vijnë nga miniera e Trepçës, ndërkohë që ka edhe mostra nga Portugalia, Maroku, Brazili, Japonia dhe vende të tjera të botës.

“Unë mendoj se institucionet tona, në radhë të parë Ministria të cilës ne i përgjigjemi, ajo e Zhvillimit Ekonomik, por edhe qeveria në përgjithësi, duhet të bëjë më shumë për të bërë marketing rreth kësaj trashëgimie minerare që ka Kosova. Unë kam filluar punën këtu para 3 vitesh dhe atëherë numri i vizitorëve ka qenë rreth 3.000 në vit. Aktualisht numri i vizitorëve ka shkuar duke u rritur, tani përafërsisht vijnë deri në 5.000 vizitorë në vit”, tha Veseli.

Kjo shifër, sipas Veselit është e pakënaqshme. Por, edhe një tjetër problematikë po bëhet gjithnjë e më shqetësuese. Kohët e fundit, kristalet që dalin nga miniera e Trepçës shiten në tregun e zi. Veseli thotë se po punohet për gjetjen e mënyrave ligjore të nxjerrjes, grumbullimit dhe koleksionimit, shitjes ose shkëmbimit të mineraleve dhe kristaleve.

“Numri i mineraleve që dalin nga miniera në tregun e zi është jashtëzakonisht i madh”, thotë Veseli, duke folur për dhjetëra kristale në ditë.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA