E kanë pagëzuar me emrin “Milingona Atomike” (Formica Atomica) për shkak të fizikut të dobët dhe impaktit të madh që ka në fushë, por mungonte prej kohësh me fanellën e përfaqësueses.

Tani duket se ka ardhur sërish mundësia e Sebastian Giovincos për të bindur skeptikët, në rikthimin e tij në kombëtaren italiane të futbollit.

Mesfushori me tipare sulmuese, që militon në kampionatin amerikan të futbollit me ekipin kanadez të Torontos, është risia më e madhe në listën e re të trajnerit Roberto Mancini. Ky i fundit ka stiluar emrat për miqësoren ndaj Ukrainës dhe ndeshjen e Ligës së Kombeve kundër Polonisë.

Pas dëmtimeve rikthehen gjithashtu Marco Verratti dhe Alesandro Florenzi, ndërsa do të jetë një debutim për Gianluca Caprarin. Mbeten jashtë listës dy futbollistë me ndikim, si sulmuesit Mario Balotelli dhe Andrea Belotti.

Itali-Ukrainë është në program të mërkurën e 10 tetorit, në stadiumin “Marassi” të Gjenovës. Në stadiumin e qytetit të Ligurias do të rezervohet një moment i veçantë, pasi në minutën e 43-të të pjesës së parë ndeshja do të ndalet përkohësisht, në nder të viktimave të tragjedisë në shembjen e urës “Morandi”.

Top Channel