Hashim Thaçi e cilësoi çështjen e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si mashtrimin me te madh në vend, që po i kushton shtrenjtë buxhetit të shtetit.

Këto komente, presidenti i Kosovës i bëri në çeljen e konferencës rajonale kundër korrupsionit. Thaçi i bëri thirrje politikanëve që të mos ushtrojnë trysni dhe ndikim ndaj sistemit të drejtësisë për çështjen e listave të veteranëve të UÇK-së.

“Shembull eklatant është çështja e veteranëve të UÇK-së. Ne të gjithë duhet ta inkurajojmë sistemin e drejtësisë që kësaj çështje t’i shkoj deri në fund me një transparencë dhe përgjegjësi të plotë. E vërteta është mese e qartë; nuk ka pasur më shumë se 12 mijë apo 15 mijë luftëtarë me armë dhe uniformë, ndërsa të tjerët janë vetëm mashtrime. Për këtë arsye, këtij mashtrimi të madh me humbje të madhe të buxhetit të Kosovës, duhet t’i shkohet deri në fund përmes drejtësisë dhe jo kërcënimeve apo trysnisë politike të kujtdo që vijnë”, u shpreh Thaçi.

Prokuroria e Posaçme e Kosovës ka ngritur aktakuza ndaj 12 personave nën dyshimin për veprën penale “te keqpërdorimit te pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas saj, nga mashtrimet me listën e veteranëve, buxheti i shtetit është dëmtuar me më shumë se 68 milionë euro për një vit e gjysmë prej që ka filluar ndarja e pensioneve.

Prokuroria kërkoi që gjykata t’ia ndalojë menjëherë pagesat veteranëve të rremë, ndërsa i ka dërguar emrat e mbi 20.000 personave që konsiderohen si të tillë.

Top Channel