Spalletti: Komplimente për Nainggolan, Mauro një “vrasës” perfekt

04/10/2018 01:30

Interi mori një tjetër fitore në Ligën e Kampionëve, duke mposhtur me rezultatin 1-2 skuadrën e PSV Eindhovenit në transfertën holandeze dhe duke u ngjitur në krye të grupit me Barcelonën, me 6 pikë të plota.

Trajneri Luciano Spalletti nuk e fshehu kënaqësinë në përfundim të takimit dhe pranoi se skuadra e tij kishte luajtur vërtetë mirë mbrëmjen e të mërkurës, duke merituar 3 piët e marra.

“Duhet t’u bëj komplimentet e mia djemve, pasi e interpretuan në mënyrë perfekte sfidën. PSV-ja është një kundërshtar që mund të të godasë në shumë mënyra, ndaj u detyruam të bëjmë një ndeshje të kujdesshme, por mbi të gjitha më pëlqeu reagimi pas golit të pësuar”, deklaroi Spalletti.

Radja Nainggolan dhe Mauro Icardi ishin autorët e golave për zikaltrit, teksa Spalletti duartrokiti lojën e mesfushorit belg dhe bëri disa sugjerime për kapitenin e Interit.

“Nainggolan ishte vërtetë i jashtëzakonshëm, ai që ne kemi njohur prej vitesh. Mauro është një “vrasës” perfekt në zonën e rreptësisë, por ndonjëherë duhet të angazhohet më shumë në lojë, ashtu si në 10 minutat e fundit të sfidës ndaj PSV-së”, tha trajneri zikaltër.

Top Channel