Maurizio Arrivabene do të vazhdojë të jetë ende pjesë e Ferrarit. Drejtuesi kryesor i “kokëkuqes” përfitoi nga një shfaqje e organizuar nga Phillip Morris, në Suzuka, për të konfirmuar qëndrimin e tij te kjo skuadër.

Në këtë mënyrë ai është përpjekur të largojë zërat që kishin filluar të qarkullonin për largimin e tij nga Ferrari, pas një përplasjeje me një prej drejtuesve të skuderisë italiane.

“Jam pjesë e Ferrarit dhe e ardhmja ime do të jetë te Ferrari. Prej vitesh jam një eksponent i Këshillit Administrativ të kompanisë dhe, përpara se të merrja detyrën time në Maranello, kisha delegimin e kontrollit të risqeve. Më pëlqen të qëdroj në Këshillin Administraiv gjithnjë, nëse nominimi do të miratohet në Asamblenë e ortakëve dhe jam i nderuar për këtë. Por puna ime mbetet këtu”, tha Arrivabene.

Ndërkohë, Ferrari do të jetë në garën e Suzukës me një pamje të re. Do të ketë ndryshime në ngjyrën e makinës, në kofanon e motorit e pjesë të tjera të makinës, ndryshime që bëhen me kërkesën e Phillip Morris, sponsorit kryesor të Ferrarit, por që nuk promovon produkte apo marka.

Top Channel