Arsenali rikonfirmoi pretendimet për trofeun më të vogël kontinental për klube, pasi shkatërroi 3-0 në transfertë Karabakun e Ansi Agollit.
Skuadra londineze iu fal 3 shënuesve, nga të cilët e priste më pak, në ndeshjen në Azerbajxhan. Sokratis,
Smith-Roëe dhe Guendouzi firmosën golat e tyre të parë në karrierë me Arsenalin. Për Karabakun luajti titullar dhe bëri një paraqitje pozitive, edhe shqiptari Agolli.
Salzburgu fitoi 3-1 ndaj Celticut, në një ndeshje që skocezët e mbyllën në inferioritet numerik dhe komplikuan rrugën e kualifikimit.
Fitore bindëse arriti edhe Leverkuseni, 4-2 përballë qipriotëve të AEK Larnakës, sikurse dhe Leipzigu në transfertën norvegjeze, ku mposhti 3-1 Rosenborgun. Fitore me të njëjtin rezultat 2-1, po në transfertë, arritën edhe Sportingu i Lisbonës ndaj Vorsklës, si dhe Kopenhageni ndaj Bordosë.
Në shtëpinë e tyre triumfuan ndërkohë Astana me Rennes dhe Fenerbahçe me Trnavën, me rezultatet 2-0, si dhe Zeniti ndaj Slavias së Pragës dhe Zurich ndaj Ludogorets me rezultatin minimal 1-0. Humbës në këtë raund të dytë ndeshjesh në grupe doli ekipi i Anderlechtit, ku militon edhe Abazaj por që mungoi për këtë takim, që u mposht në Belgjikë nga Dinamo e Zagrebit.
Milan arriti të përmbysë avantazhin e Olympiacosit, duke fituar 3-1 ndaj formacionit grek në ndeshjen e dytë të kuqezinjve në Europa League. Skuadra e trajnerit Gattuso bëri një paraqitje të mirë në “San Siro”, edhe pse u befasua nga goli i miqve me autor Guerreron.
Ndryshimet e bëra në formacion në pjesën e dytë ndikuan në përmbysjen e rezultatit, me Cutronen që shënoi dy herë ndaj grekëve nga Pireu, ndërsa protagonist u bë dhe argjentinasi Higuain. Me këtë sukses, Milan kryeson grupin B me pikë të plota. Në po të njëjtin grup, Betisi mposhti 3-0 debutuesit e Dudelanges.
Top Channel