Lazio nuk ia doli të marrë rezultat në Frankfurt, ku u mposht me shifrat 4-1 nga Eintrachti vendas, në një sfidë të cilën bardhekaltrit e mbyllën me 9 lojtarë, pas kartonëve të kuq ndaj Basta dhe Correa.

Pas një mesjave të “artë” të skuadrave italiane në Europë, Lazio bëhet e vetmja që nuk ia del të fitojë dhe madje mposhtet bindshëm në transfertën gjermane.

Eros Grezda nuk luajti asnjë minutë në sfidën e luajtur në Skoci mes Rangers dhe Rapidit të Vienës, ndeshje që u fitua me rezultatin 3-1 nga skuadra e drejtuar nga legjenda angleze Steven Gerrard.

Dy skuadrat spanjolle, Sevilla dhe Villareal përjetuan një mbrëmje të ftohtë ruse, me andaluzianët që u mposhtën 1-0 në transfertën ndaj Krasnodarit dhe “nëndetësen e verdhë” që nuk shkoi më shumë se një barazim 3-3 në Moskë ndaj Spartakut.

Marseille “flirtoi” me fitoren në Qipro përballë Apollonit, në një sfidë ku francezët kaluan në avantazh të dyfishtë në pjesën e dytë, me Payet dhe Luis Gustavo, por vendasit reaguan dhe arritën të rrëmbejnë një pikë me vlerë.

Fitore minimale, por shumë të vlefshme arriti edhe Chelsea i Maurizio Sarrit, që mposhti në “Stamford Bridge” 1-0 hungarezët e Mol Vidit, falë një goli të shënuar nga sulmuesi spanjoll Alvaro Morata.

Top Channel