Banka Botërore vlerësoi sot reformat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për rritjen ekonomike dhe e cilësoi një hap mjaft të mirë marrjen e borxhit eurobond prej 500 milionë eurosh me një interes prej 3.55 përqind në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.
Gjatë prezantimit sot në Tiranë të raportit për rritjen e ekonomisë në rajon, përfaqësuesja e Bankës Botërore Maryam Sali tha se “Eshtë një hap mjaft i mirë në tregun monetar dhe banka po punon me qeverinë për të ecur para me reformat”.
Ndërkohë përfaqësuesja shqiptare e BB në Shqipëri, Hilda Shijaku tha se ky operacion përputhet me strategjinë e menaxhimit të borxhit. “Pjesëmarrja në tregjet e huaja ekspozon vendin ndaj këtyre tregjeve dhe dhënia e kësaj huaje tregon se tregjet kanë shfaqur konfidencë.”
Banka Botërore publikoi sot raportin “Progres i drejtë dhe Lëvizja ekonomike në të gjithë brezat rreth botës”, ku konstaton se Shqipëria është një ndër shtetet kryesore në rajon, ku mbi 50% e të rinjve kanë aspirata më të larta ekonomike se prindërit.
Raporti BB sugjeron ndër të tjera veprime dhe politika lokale, kombëtare dhe globale që mund të ndihmojnë në thyerjen e ciklit të varfërisë, duke i hapur rrugën gjeneratës së ardhshme për të realizuar potencialin e tyre dhe për të përmirësuar jetën e tyre.
Top Channel