Qëllimi i “Telekom Serbia” për të marrë pjesë në garën e blerjes së “Telekom Albania” është përshëndetur nga ministri serb i Tregtisë dhe Telekomunikacionit, Rasim Ljajiç, i cili e konsideron një lëvizje të mirë, por edhe mjaft të logjikshme që flet vetë për fuqinë dhe potencialin e kësaj kompanie.
Është e rëndësishme për ne që “Telekom Serbia” demonstron aftësinë e saj për të investuar edhe në tregje të tjera rajonale si Shqipëria përveç atij të Malit të Zi dhe Bosnjës, ku është tashmë prezente.
Kjo, tha Ljajiç për “Kurir”, ia rrit ndjeshëm vlerën.
Ministri beson se po arriti të blejë “Telekom Albanian”, kompania serbe mund të kthehet në një lider të telekomunikacionit në Ballkan.
Ljajiç shtoi sidoqoftë se është ende shpejt që të flitet për rezultatin. Nuk e dimë akoma me saktësi se cilët janë konkurrentët e tjerë, ka pohuar ai për të përditshmen beogradase; për momentin është një lojë pa një përfundim të qartë, shtoi ministri duke theksuar se konsolidimi i tregut është i një rëndësie kyçe në ditët tona kur siç thotë dhe vetë, vetëm lojtarët globale apo rajonale mund të mbijetojnë në tregun e telekomunikacionit.
Gazeta citon edhe dekanin e fakultetit të inxhinierisë elektrike Branko Kovačević të pohojë se shanset që “Telekom Serbia” ta fitojë tenderin në Shqipëri janë të mira duke pasur parasysh faktin që mes dy vendeve ka përgjithësisht marrëdhënie të kënaqshme tregtare pavarësisht politikës.
Mentaliteti i shqiptarëve nga ana tjetër është i ngjashëm me tonin, nënvizoi Kovaçeviç dhe në biznesin për të cilin po flasim, kjo është diçka mjaft e rëndësishme.
Top Channel