Vëmendja mediatike dhe zhurma, që shkaktoi rikthimi në skenë i akuzave ndaj Cristiano Ronaldos për përdhunimin e një vajze, u pasuruan me një kapitull të ri këtë javë.

Çështja në fjalë, që daton në vitin 2009 dhe sipas vajzës që akuzon futbollistin ka ndodhur në Las Vegas, ka marrë përmasa të tjera pas publikimit të një videoje, ku lojtari i Juventusit shihet në shoqërinë e Kathryn Mayorga.

Vajza amerikane, e cila më parë ka qenë e martuar me një shtetas shqiptar, shihet në imazhet e fundit teksa e ka pëlqyer asokohe shoqërinë me Cristiano Ronaldon, por sipas saj, gjërat morën një rrjedhë tjetër në hotelin e futbollistit portugez.

Kathryn Mayorga u pagua me 375 mijë dollarë për heshtjen e saj, por 9 vite distancë nga ngjarja që pretendon se ka ndodhur, tani ka kërkuar të dalë në dritë versioni i saj i fakteve. Në kampin tjetër, Cristiano Ronaldo zgjodhi rrjetet sociale për të përgënjeshtruar gjithçka.

“I hedh poshtë me neveri akuzat që po më bëhen. Përdhunimi është një krim i shëmtuar, që shkon kundër gjithçkaje që besoj. Jam i vendosur të fshij emrin tim nga kjo histori dhe nuk dua të shtoj spektaklin mediatik rreth ngjarjes, si dhe ata që kërkojnë të fitojnë parà në kurrizin tim. Po pres me qetësi fundin e hetimit”, tha Cristiano Ronaldo, sulmuesi 33-vjeçar i Juventusit.

Ndërkohë, mbetet mister personi që xhiroi me celular, mbrëmjen e Cristiano Ronaldos me vajzën amerikane, duke furnizuar kështu konspiracionistët se ndoshta gjithçka ishte pjesë e një manovre të parapërgatitur.

Top Channel