Barcelona dhe Interi ecin me të njëjtin hap edhe pas raundit të dytë të ndeshjeve në fazën e grupeve të Champions League.

Katalanasit arritën të mposhtnin në “Wembley” të Londrës ekipin e Tottenhamit me rezultatin 4-2, ndërsa zikaltrit e impenjuar në transfertën holandeze ndaj PSV Eindhovenit, triumfuan me shifrat 2-1.

Për ekipin “blaugrana” shënuan fillimisht Coutinho dhe Rakitiç, me golat e të cilëve do të përfundonte edhe 45 minutëshi i parë i ndeshjes, ndërsa me t’u rikthyer në fushë, londinezët e Tottenhamit do të shënonin me golashënuesin e tyre më të shquar, Harry Kane, për të shkurtuar momentalisht diferencën.

Pavarësisht këtij momenti, katalanasit do të shënonin edhe dy herë të tjera me anë të Lionel Messit, i cili me dy golat e kësaj të mërkure hyn në histori si lojtari i vetëm që ka shënuar 65 gola në po 65 ndeshje të fazës së grupeve të Championsit.

Mes golave të “pleshtit” do të vinte sërish një gol i Spursave, që do të mbante autorësinë e Erick Lamela, por vetëm kaq, pasi londinezët do të ishin të pafuqishëm përballë gjigantëve të La Ligës.

Në takimin tjetër, Interi do ta niste keq aventurën e tij ndaj holandezëve të PSV-së, me këta të fundit që do ta shihnin veten në avantazh pas rreth gjysmë ore lojë, kur shënoi Rosario. Megjithatë, zikaltrit e Spallettit do të reagonin që në pjesën e parë, duke barazuar shifrat në 1-1 me anë të Nainggolanit, për të kaluar në avantazh në të dytën, falë golit të Icardit.

Këto fitore i ngjisin skuadrat e Barcelonës dhe Interit në krye me nga 6 pikë secila, por katalanasit kanë një golavarazh më të mirë përpara sfidave direkte mes tyre, për ndeshjet e raundit të tretë dhe të katërt. Ndërkohë, Tottenham dhe PSV mbeten në fund me zero pikë pas dy javëve.

Top Channel