Tottenham, në alarm para Barcelonës. Gjysma e ekipit, jo në dispozicion

02/10/2018 17:34

Nisja e komplikuar e sezonit të Tottenhamit, me disa rezultate jo pozitive në kampionatin anglez, Premier League, rrezikon të përkeqësojë shkallën e dëmit edhe në arenën kontinentale.

Në vigjiljen e sfidës në Champions League, të mërkurën në mbrëmje kundër Barcelonës, thuajse gjysma e ekipit londinez nuk do të jetë në dispozicion.

“Spurs”-at nuk e kishin parashikuar që shumë protagonistë të formacionit titullar të mos ishin të pranishëm as në pankinë, në përballjen kundër katalanasve, një 90-minutësh që është kthyer në rast të detyrueshëm për pikë, pas humbjes në “San Siro” kundër Interit.

Lojtarë të tillë si Vertonghen, Aurier, Eriksen, Dembélé dhe Dele Alli nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Mauricio Pochettino. Për t’u vlerësuar, ndërkohë, është gjendja fizike e portierit francez Hugo Lloris, e si për të përkeqësuar situatën, mjekët nuk kanë lejuar zëvendësin e tij as të grumbullohet.

Në kampionatin anglez ka luajtur portieri i tretë, Gazaniga, dhe 26-vjeçari argjentinas me shumë gjasë do të përfundojë titullar edhe në Champions, përballë bashkëkombasit të tij Lionel Messi. Përballja mes londinezëve dhe Barcelonës do të luhet në impiantin mitik “Wembley”.

Top Channel