Sot Liga e Kampioneve, në fushë Man. United, Bayern e Real Madrid

02/10/2018 11:08

Liga e Kampioneve rikthehet me ndeshjet e dyta të fazës së grupeve. Manchester United pret në “Old Trafford” skuadrën e Valencias, një ndeshje që do të jetë një provë zjarri për trajnerin Mourinho, qëndrimi i të cilit në stolin e Manchester United duket se është në fije të perit.

“Djajtë e Kuq” kanë regjistruar një barazim e 1 humbje në dy ndeshjet e fundit në kampionat, ndërkohë që situata brenda skuadrës, sipas medias britanike nuk është aspak e qetë.

Bayerni i Mynihut do të presë Ajaxit në ndeshjen e tij të dytë të Grupit E. Të dyja këto ekipe vijnë pas fitoreve në ndeshjet e tyre të para kundër Benficas dhe AEK-ut. Bilanci i ndeshjeve direkte mes tyre flet për një ekuilibër mes Bayernit dhe Ajaxit që luajnë sfidën e 9 mes tyre. Në 8 përballjet e para janë regjistruar nga 3 fitore për secilën prej skuadrave dhe 2 barazime.

Reali i Madridit do të luajë në Rusi ndaj CSKA të Moskës. Skuadra kampione e Evropës nuk ka shfaqur një formë shumë të mirë në 2 ndeshjet e fundit në kampionatin spanjoll dhe ndaj moskovitëve do të kërkojë që të rigjejë shkëlqimin e humbur në La Liga. Madrilenët e kanë fituar ndeshjen e tyre të parë në grup atë me Romën 3-0, ndërsa CSKA vjen pas barazimit 2-2 me Viktoria Plzen

Sot do të zbresin në fushën e lojës edhe Juventusi e Manchester City. Zonja e Vjetër do të luajë kundër Young Boys, por pa Cristiano Ronaldon të skualifikuar.

Bardhezinjtë në sfidën me zviceranët do të kërkojnë që të vijojnë serinë e fitoreve për ta cuar atë në 9 radhazi në këtë fillim sezoni. Ndërsa Manchester City do të luajë ndaj Hoffenheimit në Gjermani. Kampionët e Anglisë do të kërkojnë që të harrojnë humbjen e pësuar përpara 2 javësh ndaj Lionit dhe shihen si favoritë për të fituar këtë përballje.

Top Channel