Nafta po shkon 200 lekë, rritje me 5 lekë për litër në dy ditë

02/10/2018 15:48

Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare ka dhënë efekte të menjëhershëm në Shqipëri. Çmimet e karburanteve në vend janë shtrenjtuar më së paku 5 lekë për litër në vetëm dy dite. Mesatarisht nafta në kryeqytet tregtohet me 183 lekë, ndërsa benzina me 184 lekë. Shtrenjtimi më i dukshëm ka qenë tek gazi i lëngshëm, i cili është rritur më së paku 10 lekë për litër.

Të martën një fuçi nafte tregtohej me 84 dollarë në tregjet ndërkombëtare, ndërkohë  sinjalet që vijnë nga bursat janë që nafta do të shtrenjtohet sërish në muajt në vazhdim.

Në këto kushte importuesit kryesorë shqiptare pohojnë për Top Channel nëse çmimi i një fuçie i kalon 100 dollarë, me kursin aktual të këmbimit, një litër nafte apo benzinë do të kalojë pragun 200 lekë për litër.

Sipas tyre, e vetmja mënyrë për lehtësimin e qytetarëve dhe ekonomisë nga çmimet e larta të naftës është një ulje e barrës fiskale mbi karburantet nga ana e qeverisë. Aktualisht në Shqipëri mbi 110 lekë ose 60 përqind e çmimit final të naftës dhe benzinës përbëhet nga taksat.

Në çdo litër naftë që shitet në treg, qeveria shqiptare mbledh 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni dhe 7 deri në 10 lekë taksë riliçensimi.

Këtyre katër taksave që shkojnë në buxhet u shtohen dy tarifa shërbimesh që paguhen për konçesionarët privatë. 1 lekë për litër, për markimin e karburanteve dhe 1,4 lekë për litër për konçesionin e skanimit.  Në fund, pas këtyre 6 taksave paguhet edhe tatimi mbi vlerën e shtuar, i cili është 20 për qind e çmimin final ose rreth 30 lekë për litër.  Por, me rritjen e mëtejshme të çmimeve është pikërisht tvsh që do të rritet si taksë sepse sa më e lartë të jetë vlera e deklaruar në shitje aq më i lartë është dhe tatimi mbi vlerën e shtuar.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA