Zyrtarë francezë kanë akuzuar Iranin, më konkretisht Ministrinë e Kundërzbulimit, se fshihet pas një komploti për të aktivizuar një bombë gjatë një mitingu të grupeve të opozitës iraniane në Paris gjatë muajit qershor.
Në një deklaratë, qeveria franceze tha se kishte ngrirë asetet financiare të dy zyrtarëve të lartë iranianë. Por, Irani këmbëngul se komploti i pretenduar është një trillim dhe ka bërë thirrje për bisedime.
Në një ngjarje që dyshohet të ketë lidhje me këto dyshime, të kësaj të marte, policia në Dunkirk bastisi një qendër të myslimanëve shiitë që ka lidhje të ngushta me Iranin. Ata arrestuan disa persona dhe ngrinë asetet financiare të grupit.
Por çfarë ka ndodhur? Më 30 qershor, mbështetës të opozitës iraniane u mblodhën në Paris për një takim të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI). Mes të ftuarve ishin edhe politikanët amerikanë, Newt Gingrich, ish-kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, si dhe Rudy Giuliani, tashmë avokat i presidentit Donald Trump.
NCRI-ja konsiderohet të jetë krahu politik i grupit të muxhahedinëve disidentë (MEK), të cilën Irani e konsideron organizatë terroriste. Më vonë u zbulua se dy shtetas belgë me origjinë iraniane, burrë e grua të njohur si Amir A. Dhe Nasimeh N., u arrestuan nga policia belge teksa u kapën me një gjysmë kilogrami lënde eksplozive dhe një detonator.
Në një seri bastisjesh të koordinuara, një tjetër person i identifikuar si Merhad A. u arrestua në Paris dhe akuzohet si bashkëpunëtor. Një diplomat iranian që vepronte në Austri, Assadollah Assadi u arrestua gjithashtu nga policia në Gjermani. Sipas hetuesve gjermanë, ai dyshohet të jetë agjenti i kundërzbulimit që u takua me bashkëshortët në Luksemburg, ku urdhëroi edhe sulmin dhe u dorëzoi edhe eksplozivin.
Austria i hoqi atij statusin si diplomat pas arrestimit, ndërsa tani përballet me kërkesën për ekstradim nga Gjermania drejt Belgjikës për t’u hetuar.
Top Channel