Kategoria Superiore, mesjava impenjon skuadrat për javën e 7

02/10/2018 17:28

Këtë mesjavë do të luhen ndeshjet e javës së 7 të Kategorisë Superiore. Në Tiranë do të luhet ndeshja mes Partizanit dhe Teutës, dy skuadra që vijnë nga fitore shumë të rëndësishme në fundjavë, respektivisht ndaj Tiranës dhe Skënderbeut.

Trajneri i “Të kuqve”, Skënder Gega theksoi në konferencën e tij për shtyp se, kjo ndeshje duhet marrë seriozisht si “derbi” me Tiranën.

“Patjetër që ajo me Teutën është një ndeshje tjetër. Vijmë pas fitores në ‘derbi’, që na dha 3 pikë më shumë. Edhe këtë përballje duhet ta marrim seriozisht, pasi kemi synimet dhe objektivat tona”, tha Skënder Gega, trajner i Partizanit.

Edhe trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi e vlerësoi në maksimum sfidën dhe theksoi se, shpreson që skuadra e tij të luajë si ndaj Skënderbeut.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Me Skënderbeun fituam me lojë e rezultat, sidomos në pjesën e parë. Shpresojmë që të bëjmë të njëjtën paraqitje. Kundërshtari ynë vjen nga fitorja në ‘derbi’ dhe të gjithë e dinë se çfarë do të thotë të fitosh një ‘derbi’”, tha Bledi Shkëmbi, trajneri Teutës.

Në fushën e lojës, në mesjavë do të zbresë edhe Flamurtari, të cilin e pret një ndeshje e vështirë me Laçin, gjë që theksohet edhe nga futbollistët Useini dhe Siljanovski.

“E dimë që Laçi është një fushë e vështirë, por kemi pasur në dispozicion 3 ditë dhe besoj se kemi punuar mirë. Kemi analizuar ndeshjen me stafin dhe jemi të përgatitur në maksimum. Do të shkojmë për të marrë 3 pikët”, tha Meti Usaini, futbollist i Flamurtarit.

“Ndeshja me Laçin është e vështirë. Vinim nga dy humbje me Skënderbeun dhe Partizanin. Reaguam mirë në ndeshjen me Kastriotin, duke zhvilluar lojë shumë të mirë. Nëse dhe ndaj Laçit bëjmë të njëjtën paraqitje, fitorja është e jona”, tha Goran Siljanovski, futbollist i vlonjatëve.

Partizani-Teuta dhe Laçi-Flamurtari do të luhen ditën e mërkurë, ashtu sikurse edhe sfidat Kastrioti-Tirana dhe Luftëtari-Kamza. Java e 7 e Kategorisë Superiore do të mbyllet me supersfidën mes Skënderbeut dhe Kukësit, që do të luhet ditën e enjte.

Top Channel