Champions, Reali mposhtet në Moskë. Barazojnë Bayern dhe United

02/10/2018 23:04

Mbrëmja e kësaj të marte në Champions League ka dhuruar rezultate surprizë, ku mbi të gjitha bie në sy humbja e kampionëve të trefishtë të Europës në fuqi, Real Madrid, në kryeqytetin rus përballë CSKA-së së Moskës me rezultatin minimal 1-0.

Moskovitëve iu mjaftoi një gol i shpejtë i shënuar në minutën e dytë nga Vlasiç, për të dalë triumfues nga stadiumi i tyre përballë një ekipi “galaktik”, ndriçimi i të cilit është zbehur disi këtë sezon pas largimit të Cristiano Ronaldos drejt Juventusit në Itali.

Tashmë rusët kryesojnë grupin G me 4 pikë në dy ndeshje, ndërsa ndiqen nga Reali dhe Roma me nga 3 pikë secila, për të lënë çekët e Plzenit në fundin e grupit me vetëm 1 pikë.

Roma shpartalloi në “Olimpico” skuadrën çeke, me rezultatin 5-0, ku spikat trigolëshi i shënuar nga Edin Dzeko, dy prej të cilave në pjesë të parë dhe të tretin në minutën e fundit shtesë. Mes golashënuesve regjistruan emrat e tyre edhe Under dhe Kluivert.

Edhe Bayern Munchen nuk arriti të fitonte në “Allianz Stadium” të Mynihut përballë holandezëve të Ajaksit të Amsterdamit. Bavarezët shënuan shumë shpejt, që në minutën e 4-t me anë të Hummels, por miqtë nga Holanda barazuan me Mazraoui brenda pjesës së parë. Me këtë rezultat do të mbyllej krejt takimi, pavarësisht përpjekjeve të shumta nga gjigantët e Bundesligës.

Në ndeshjen tjetër të grupit E, Benfika mposhti 3-2 grekët e AEK-ut në Athinë, edhe pse ishin me karton të kuq që nga fundi i pjesës së parë. Helenët arritën të barazonin shifrat në të dytën, por nuk arritën ta përmbysnin rezultatin. Grupi tashmë kryesohet nga Ajaksi e Bayern me nga 4 pikë, të ndjekur nga portugezët e Benfikës me 3 dhe AEK-u me zero pikë.

Dy ndeshjet e tjera të mbrëmjes ishin ato që kompletonin grupet F dhe H, nga të cilat u luajtën pasdite respektivisht Hoffenheim-City dhe Juventus-Young Boys.

Francezët e Lionit barazuan 2-2 me Shakhtarin, duke u ngjitur në krye me 4 pikë, ndjekur nga City me 3, ukrainasit me dy dhe gjermanët me 1. Ndërsa Manchester United vijon periudhën e vështirë dhe mungesën e rezultateve edhe në Champions, teksa barazuan pa gola me Valencian. Një barazim që i bën “djajtë e kuq” të renditen me 4 pikë pas Juventusit që ka 6 pikë, duke lënë spanjollët me 1 dhe zviceranët me zero pikë.

Top Channel