Ze Maria qëndron te Tirana jo për parà: Kam mbështetjen e skuadrës

01/10/2018 19:42

Në ditën e “divorcit” të klubit Tirana me trajnerin Ze Maria, braziliani merr mbështetjen e plotë të presidentit Refik Halili, pas një takimi për rreth 3 orë paraditen e së hënës. Kur lojtarët qëndronin në pritje të një lajmi dhe se kush do t’i stërviste, vetëm 5 minuta përpara seancës së parashikuar në orën 14:00, si asnjëherë më parë shfaqet po i njëjti trajner: Ze Maria.

Ai merr skuadrën në dhomat e zhveshjes të kompleksit stërvitor “Skënder Halili” për një mbledhje, analizë që zgjati rreth 2 orë e 30 minuta, e më pas të gjithë rikthehen në stërvitje të qeshur, si për të konfirmuar çlirimin nga një situatë kaotike.

“E kërkonin shumë vetë që unë të largohesha, por besoj që jemi sqaruar me presidentin gjatë paradites dhe në mesditë jemi sqarur si staf teknik me lojtarët. Kemi nxjerrë në pah problemet tona si staf dhe të lojtarëve, duke i premtuar njëri-tjetrit që të ndryshojmë nga sot e tutje. Kam dashur që të dëgjoj nga të gjithë lojtarët, nga kapiteni, atë çfarë kishin për të thënë dhe cili ishte mendimi i tyre. I premtova presidentit një impenjim maksimal, kjo nuk diskutohet, nuk ka ndodhur më parë dhe nuk do të ndodhë asnjëherë. Unë nuk jam këtu për të humbur kohë dhe për t’iu humbur kohë njerëzve. Nuk duam të na fyejnë e as të fyejmë njeri. Folëm për këto gjëra me presidentin dhe për momentin do të vazhdojmë, më pas të shohim çfarë do të ndodhë. Jam shumë i kënaqur që qëndrova, pasi asnjëherë nuk e kam fshehur faktin që ndihem shumë mirë këtu në Tiranë”, tha Ze Maria.

Nuk janë të paktë ata që mendojnë se Ze Maria ka një problem që lidhet me financat edhe në rast largimi. Ai është trajneri më i paguar në kampionatin tonë dhe ka një kontratë prej 2 vitesh me bardheblutë, ndaj zgjidhja e saj nuk është e thjeshtë. Nuk janë të paktë ata që mendojnë se një nga arsyet e qëndrimit të tij janë pikërisht paratë e kontrata.

“Më vjen shumë keq për disa njerëz që mendojnë se unë këtu qëndrova për paratë, pasi këtë vit kam refuzuar një kontratë shumë të majme financiare dhe klubi e di. Unë jam një njeri që dua ta mbyll një projekt që filloj. 5.000 eurot që marr nuk më ndryshojnë jetën, kjo është pak, por e sigurtë”, përfundoi tekniku Ze Maria.

Dy ndeshjet e radhës për Tiranën do të luhen brenda kësaj jave, të mërkurën kundër Kastriotit dhe në fundjavë kundër Laçit.

Top Channel