Edhe pse nuk u kalua shifra e 50 përqindshit e pjesëmarrjes në referendum, rreth 90 përqind e votuesve hodhën votën e tyre pro pasi janë pyetur nëse janë për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë për emrin e Maqedonisë.

Kryeministri Zoran Zaev e ka quajtur referendumin si të suksesshëm edhe pse pjesëmarrja nuk ka qenë e kënaqshme.

Ai u shpreh në një konferencë të orëve të vona të një dite më parë se nuk ka ndërmend të dorëhiqet, pasi vota pro e qytetarëve e obligon atë që procesin ta kalojë në procedurë parlamentare, e në rast se nuk siguron 2/3 e votave, nuk përjashton mundësin e zgjedhjeve të parakohshme, që sipas Zaev fundi i nëntorit do të ishte datë e përkryer.

“Parlamenti e ka radhën, dhjetë ditë do të bëjmë përpjekje, por në rast se nuk arrijmë të sigurojmë 2/3 e votave, atëherë alternativë mbeten zgjedhjet e parakohshme”, deklaroi Zaev. Sipas tij, qytetarët e Maqedonisë me votën e tyre treguan se vendi i Maqedonisë është në BE dhe NATO dhe se më në fund çdo qytetar sjelli vendimin e vet.

“Në referendumin kanë votuar më shumë se 650 mijë qytetarë, më shumë se 90 për qind votuan pro dhe thanë se Maqedonia duhet ta pranoj marrëveshjen dhe të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-së. Populli bëri përzgjedhje të rëndësishme. Tani, kur kemi shumicë të përcaktuar për Maqedoni evropiane, është koha deputetët ta ndjekin zërin e shumicë, me qëllim të përshpejtojmë proceset për anëtarësim të plotë në BE dhe NATO. Vota për është thirrje për të gjithë partitë politike t’i bashkëngjiten projektit. Të bashkohemi gjithë deputetët dhe të dërgojmë vendin aty ku e ka vendin në BE dhe NATO”, tha më tej Zaev.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA