Angela Merkel paralajmëroi mbi rreziqet që sjell braktisja e rendit ndërkombëtar të pasluftës në favor të proteksionizmit, duke dalë kështu haptazi kundër qëndrimit të administratës amerikane në këtë çështje.
“Zëri i Amerikës” e citon Kancelaren gjermane të pohojë se, ndërsa institucionet – si Këshilli i Sigurimit i OKB-së, – kanë nevojë për reforma, shkatërrimi i tyre “pa krijuar diçka të re” do të ishte “shumë i rrezikshëm” dhe një kërcënim për “rendin tonë paqësor”.
Pasi preku temën që për pak i rrezikoi pushtetin, atë të emigracionit, shefja e ekzekutivit gjerman e ktheu vëmendjen nga Ballkani.
“Për hir të paqes, – tha Merkel, – ne gjithashtu duhet t’u japim vendeve të Ballkanit Perëndimor mundësinë e anëtarësimit, edhe pse kjo është e ndërlikuar. Kur lexoj ndonjëherë raportet e agjencive tona mbi çështjen e korrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe unë shqetësohem”, rrëfeu ajo.
“Por, nëse mendon çfarë lufte ka pasur atje pak kohë më parë dhe sa e brishtë është situata, atëherë është në interesin tonë strategjik t’u japim këtyre vendeve një perspektivë europiane, edhe pse përsëri kjo do të kërkojë një numër vitesh”.
Ballkani u kthye dhe në temë të rëndësishme të fjalimit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në OKB. Interpretimi i Moskës për situatën, gjithsesi është ndryshe.
“Ne jemi të shqetësuar nga dëshira për të hapur një linjë tjetër konfrontimi në Europë”, deklaroi kryediplomati rus.
“Shteteve të rajonit po u kërkohet me këmbëngulje të hyjne në NATO”, nënvizoi ai, duke shtuar se udhëheqësit europianë dhe ata amerikanë janë duke bërë personalisht fushatë për afrimin e vendeve të Ballkanit në aleancën euroatlantike.
Lavrov foli edhe për Kosovën, e tha se vendi i tij do të mbështesë çdo vendim që është i pranueshëm për Serbinë.
Top Channel