Diego Armando Maradona që është në javët e para të tij si trajner i Dorados, por ai ndjek me vëmendje dhe atë që po ndodh në përfaqësuesen e Argjentinës.

Në muajin tetor skuadra “Albiceleste” do të luajë dy miqësore, njëra prej të cilave është ajo me Brazilin dhe në të dyja këto dy përballje nuk do të jetë kapiteni Lionel Messi që mungoi edhe në miqësoret e muajit shtator.

El pibe De Oro foli për sulmuesin e Barcelonës duke e shfajësuar edhe njëherë për dështimin e Argjentinës në Botërorin e Rusisë.

“Do të doja që Messi pas Kupës së Botës të fliste dhe t’i dërgonte të gjithë në ferr” tha Maradona, “nuk është faji tij se nuk fituam edhe pse i gjithë presioni ishte mbi të. E këshilloj që të lërë njëherë e mirë kombëtaren sepse nëse Argjentina humbet është faji i tij. Për çdo gjë negative që ndodh në futbollin argjentinas, fajtori është Messi. Dua të shoh se kë do të ngarkojnë me përgjegjësi kur të mos jetë ai te Argjentina”.

Argjentina për momentin drejtohet nga Lionel Scaloni, por bardhekaltërve iu duhet të gjejnë një trajner dhe Maradona e ka preferencën e tij.

“Do të doja të shihja Menottin si trajnerin e Argjentinës” – vijoi Maradona – “edhe unë do të kthehesha të punoja me të me të gjitha ekipet kombëtare. Emra si Simeone, pochettino e Gallardo nuk do të prezantojnë një projekt të cilin e dinë që Federata nuk do ta respektojë, nuk duan të rrezikojnë atë çfarë kanë arritur në Evropë dhe nuk flas për paratë, por për lavdinë”.

Top Channel