Zgjidhja përfundimtare e çështjes së emrit me Greqinë mori një goditje të fortë nga dështimi i referendumit të së dielës në Maqedoni. Shpresat tani varen te Parlamenti. Edhe pse referendumi dështoi, ligjvënësit maqedonas mund të japin një rrugëdalje nga kjo situatë.

Referendumi, praktikisht nuk ishte i detyrueshëm, thjesht “konsultativ”, e nëse përfaqësuesit e popullit në Parlament japin miratimin e tyre, marrëveshja hyn në fuqi. Problemi është se, së fundi, ujdinë e kanë votuar vetёm 69 nga120 deputetё, ndërkohë që numri i nevojshëm i votave “pro” është 80.

Opozita e refuzon kategorikisht emrin e ri tё shtetit, sepse sipas tyre me kёtё hiqet dorё prej identitetit tё Maqedonisё. Për kreun e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, qeveria e Zoran Zaevit u delegjitimua, ndaj dhe kërkoi largimin e tij nga posti – siç tha, – për një ‘pension afatgjatë’.

Por, dorëheqja nuk bën pjesë në planet e Zaevit, i cili u ka drejtuar një apel partive të bashkohen për ta çuar vendin përpara në strukturat euroatlantike.

“Kur kemi vullnetin e shumicës për Maqedoninë europiane, koha është që deputetët ta dëgjojnë zërin e kësaj shumice dhe t’i përshpejtojnë këto procese. Ftoj të gjithë politikanët të bashkohen dhe ta çojnë vendin tonë atje ku i takon, në BE dhe në NATO. Në të kundërt, na mbeten zgjedhjet e parakohshme menjëherë”, tha Zaev.

Ali Ahmeti tregoi se zgjedhjet e parakohshme nuk janë një opsion për të dhe u dërgoi tërthorazi mesazhin deputetëve se çfarë përgjegjësie rëndon mbi ta për të marrë vendimin e duhur.

“Ne jemi të zgjedhur që të marrim vendime të rëndësishme, vendime të guximshme, e jo të përllogarisim zgjedhjet e ardhshme. Por edhe të ardhmen e rajonit dhe të Europës Juglindore”, tha Ahmeti.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi vlerësoi klimën e qetë, në të cilën u zhvillua votimi.

Ziadin Sela mendon se, një faktor i rëndësishëm në këtë rezultat kanë qenë listat zgjedhore, të cilat sipas tij nuk u pastruan nga votuesit fiktivë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se dyert e Aleancës së Atlantikut të Veriut mbeten për çdo rast të hapura për Maqedoninë, ndërsa komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn përgëzoi ata “që morën pjesë në referendum”, për të cilët tha se me këtë votë të rëndësishme shprehën “përkrahje të gjerë për marrëveshjen e Prespës dhe ardhmërinë euroatlantike të vendit”.

Departamenti amerikan i Shtetit reagoi gjithashtu duke deklaruar përkrahjen e plotë për paktin, e votën “Po” të qytetarëve të Maqedonisë e përshëndeti edhe Ministria jonë e Punëve të Jashtme, nga e cila theksuan se është koha që të gjitha forcat politike në Parlamentin maqedonas t’i përgjigjen vullnetit të qytetarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA