Qindra banesa tradicionale në Gjirokastër, mes tyre edhe monumente kulture të kategorisë së parë dhe të dytë janë jashtë qarkullimit civil për shkak të mungesës së certifikatave të pronësisë.
Sipas drejtuesit të Zyrës Rajonale të ALUIZNI-t në Gjirokastër, Nertil Nebiaj, ligji për legalizimin e objekteve të ndërtuara para vitit 1991 është shumë specifik për Gjirokastrën sepse do të favorizojë sidomos banesat historike që për arsye të ndryshme nuk disponojnë dokumente pronësie.
120 kërkesa janë depozituar nga qytetarët që prej mesit të shtatorit kur ligji hyri në fuqi ndërsa ekipet e matjeve dhe vlerësimit në terren janë dyfishuar. Gjirokastra si qytet pritet të regjistrojë 80% të volumit të kërkesave për legalizim.
Sipas Nebiajt, qytetarët të cilët kanë barrën e provës për këto pasuri duhej më parë të siguronin një numër të madh dokumentesh si dhe aplikime paraprake në bashki e më pas konfirmim të vendimeve prej Këshillit të Qarkut të shoqëruara me tarifa financiare të larta. Procesi që sapo nisi pritet ti japë zgjidhje përfundimtare procesit që po zvarritet për 3 dekada. Ligji do të garantojë legalizimin falas deri në 300 m2 truall dhe tarifa normale mbi këtë sipërfaqe.
Mospajisja e pronarëve me dokumentacion të pronës ka qenë duke penguar qarkullimin,shit-blerjet dhe investimet në Gjirokastër.
Mungesa e notave të transkriptimit për këto pasuri lidhet me djegien tri herë të arkivave dokumentare në Gjirokastër në vitet 1944, 1954 dhe 1997. Një aspekt frenues për procesin ndër vite janë bërë edhe pretendimet e shumë pronarëve mbi të njëjtën pasuri. Disa dhjetëra banesa janë braktisur dhe shembur në qytetin që mbrohet nga UNESCO prej pamundësisë për ti bërë ato funksionale.
Top Channel