Prej orës 7 të mëngjesit të kësaj të diele, në Maqedoni janë hapur qendrat e votimit sa i përket referendumit për marrëveshjen e emrit me Greqinë, një hap vendimtar drejt anëtarësimit të vendit fqinj në Bashkimin Europian dhe NATO.
Të drejtë vote kanë 1.806.336 votues, sipas listës zgjedhore, të cilët do të duhet të deklarohen nëse janë pro apo kundër, teksa pyeten konkretisht: A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e marrëveshjes së Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?
Në mbarë vendin votohet në 3.748 vendvotime, të cilat do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19.
Një ditë më parë votuan personat e dënuar, të sëmurët dhe të pamundurit. Të shtunën votuan gjithashtu edhe qytetarët e Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit.
Gjatë kësaj të diele priten të dhëna nga votimi i djeshëm, ndërkohë që pas mbylljes së votimit në orën 19, Komisioni Shtetëror Zgjedhor pritet të publikojë edhe rezultatet e para nga referendumi, të marra në rrugë elektronike, kurse rezultatet nga procesverbalet dhe materialet votuese priten brenda 24 orësh.
Zgjedhjet për referendumin do të vëzhgohen nga një numër rekord vëzhguesish vendas dhe të huaj. Sipas shifrave zyrtare të vëzhguesve të akredituar, janë 11.907 vendas dhe 493 të huaj. Gjithashtu janë akredituar edhe 194 përkthyes nga organizatat ndërkombëtare. Për raportime nga zhvillimet zgjedhore janë akredituar 83 gazetarë nga 32 medie të ndryshme.
Top Channel