Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi në një konferencë për shtyp pasditen e së dielës se kurrë nuk ka marrë leje për vizitën e tij në veri të Kosovës, pasi, sipas tij, është Kosova ajo që i jep leje të tjerëve kur e sheh të arsyeshme.

“Kurrë nuk kam marrë leje për vizitën në veri. Ne Kosova jemi ata që i japim leje të tjerëve kur e shohim të arsyeshme. Vizita ime e djeshme nuk ka pasur asnjë incident”, u shpreh Thaçi.

Vizita e shkurtër e presidentit Hashim Thaçi në liqenin e Ujmanit zemëroi serbët. Pas deklaratave të ashpra në Beograd nga Presidenti Vuçiç, sipas të cilit kjo vizitë shkel marrëveshjet e Brukselit, dhjetëra serbë të Kosovës bllokuan pasditen e së shtunës rrugën Mitrovicë-Bërnjak. Ata vendosën dy kamionë në mes të rrugës për të bllokuar qarkullimin në Zubin-Potok.

Vuçiç, në një konferencë të jashtëzakonshme nga Beogradi, duket se i hodhi benzinë zjarrit, duke thënë se nga 26 marsi e deri më sot, Kosova ka kërcënuar për herë të tretë paqen dhe qetësinë e serbëve.

Sipas tij, Kosova po e bën një gjë të tillë për të destabilizuar Serbinë dhe serbët atje.

Presidenti Hashim Thaçi bëri një xhiro në Ujman me skaf, e më pas dha një deklaratë për mediet. Por, vizita e tij është kritikuar në Prishtinë, ku në atë kohë protestonte opozita.

“Hashim Thaçi duhet t’i ngelet së kaluarës. Populli nuk i nënshtrohet një njeriu në idenë e tij për shkëmbim të territorit”, tha kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në atë tubim.

Një reagim për të gjitha palët erdhi në orët e mbrëmjes edhe nga kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, me një status në Facebook.

“Sot, Kosova nuk fitoi asgjë. Sot humbën qytetarët e saj, u lëndua besimi i tyre në shtetin e Kosovës. Sot fituan inatet kundër njëri-tjetrit dhe manipuluesit politikë”, shkruan Veseli.

“Një gjë duhet ta ketë të qartë secili: Kosova, me sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, kufijtë dhe Veriu i saj, nuk mbrohen me demonstrime të gënjeshtërta patriotike kundër njëri-tjetrit”, thuhet në reagimin e Veselit, ku ai i cilëson si “të rrezikshme për vendin”, situata manipuluese të tilla si ato që ndodhën të shtunën.

Top Channel