Fshati me muze. Mësuesi në pension e ndërton vetë dhe bëhet ciceron

30/09/2018 20:40

Ali Buzra është një ish-mësues i shkollës në fshatin Gizavesh të Librazhdit. Tri vite më parë, kur kishte dalë në pension, vendosi që dijet e tij në lidhje me historinë e Shqipërisë, e veçanërisht me fshatin e tij, t’i përdorte.

Për këtë vendosi që të krijojë një muze për fshatin. Për tri muaj mblodhi objektet etnografike dhe ndërtoi një muze në ambientet e shkollës ku dikur jepte mësim. Tani ai është ciceron i muzeut.

“Ideja më lindi nëpërmjet punës. Këto janë vlera historike dhe që shprehin kulturën e banorëve të fshatit”, thotë Buzra.

Një muze të tillë nuk ka fatin ta ketë as qyteti i Librazhdit. Objektet e grumbulluara janë mbi 200-vjeçare. Ato kanë qenë pjesë e jetesës së familjeve të këtij fshati.

Puna për pasurimin e muzeut do të vijojë. Mësuesi kërkon që të ketë akoma edhe më tepër objekte me vlerë historike, për të tërhequr edhe turistë të huaj në fshatin tij.

“Puna sapo ka nisur. Muzeu është krijuar tani dhe do të vazhdojë puna për të sepse ka mundësi të mëtejshme pasurimi”, shpjegon ish-mësuesi.

Top Channel