Interi do të presë sonte në mbrëmje Cagliarin në “San Siro” në një takim ku do të kërkojë fitoren e tretë radhazi, pas triumfeve ndaj Sampdorias dhe Fiorentinës.
Fakti që po sot do të përballen dy skuadrat e kreut me njëra-tjetrën, por do të luhet edhe derbi i kryeqytetit, e bën Spallettin që ta shohë ndeshjen me Cagliarin si një mundësi për të rikuperuar diferencën me ekipet që kanë marrë më shumë pikë në këto javë të para.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi Cagliari ka lojtarë që mund të na i komplikojnë punën. Kam porositur lojtarët që ta vlerësojnë maksimalisht këtë sfidë, pasi kemi gabuar mjaftueshëm dhe tashmë do të kërkojmë të rikuperojmë. Ndoshta fakti që do të përballen kryesueset, mund të na ndihmojë të rikuperojmë disi me ata”, deklaroi Spalletti.
Tekniku zikaltër refuzoi të prononcohet për librin e Tottit, i cili doli në treg këtë javë dhe fliste për një sherr që mund të kishte degjeneruar në përdorimin e duarve mes Spallettit dhe ish kapitenit të Romës.
“Unë jam këtu për të folur për Interin, që ka kapiten Icardin dhe ka edhe një tjetër jashtë fushë, si Javier Zanetti. Librin e Tottit do ta lexoj me qetësi dhe vetëm më pas do të vlerësoj mundësinë e të dhënit të një komenti. Por gjatë kësaj kohe kemi ndeshje çdo tre ditë dhe nuk kam kohë të lexoj librin”, deklaroi tekniku zikaltër, duke u përpjekur të mbyllë polemikat.
Në fund Spalletti foli edhe për formën e blerjes më të bujshme të verës te zikaltrit, mesfushorit belg Radja Nainggolan, i cili duket se nuk ka gjetur ende bashkëpunimin më të mirë me shokët e rinj të skuadrës.
“Nëse do bëja një vlerësim në shifra, nga 1 në 10, Nainggolan meriton notën 6, për atë që ka dhënë deri tani. Ai mund të japë shumë më tepër, por ambientimi po i zgjat më shumë, për shkak edhe të dëmtimit në verë. Nuk jam dakord për mungesë bashkëpunimi me Icardin, pasi në të shumtën e rasteve, Nainggolan kërkon topin nga lojtarët që ka pas vetes”, tha Spalletti.
Top Channel