Pas barazimit zhgënjyes mbrëmjen e djeshme në transfertën ndaj Emnpolit, i treti radhazi këtë sezon për Milanin, kuqezinjtë po përgatiten për sfidën e fundjavës, që i sheh të impenjuar sërish larg “San Siros”.
Këtë herë kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Reggio Emilias, ku do të përballen në “Mapei Stadium” me Sassuolon, një skuadër që e ka nisur mjaft mirë këtë sezon, duke grumbulluar 13 pikë në 6 javët e para dhe duke u renditur përkohësisht në vendin e tretë.
Përballë Milani do të gjejë edhe një ish futbollist të kuqezinjve, ganezin Kevin Prince Boateng, i cili ka “rilindur” me “zi-jeshilët”, kjo falë edhe rolit të ri ku po e aktivizon trajneri De Zerbi, atë të “9-ës” false.
Boateng pranon dashurinë për Milanin, fanellën e të cilit e ka veshur në dy periudha të ndryshme dhe thekson se nëse do t’ia dalë të dërgojë topin në rrjetën e portës së kuqezinjve, nuk do të festojë në respekt të të kaluarës.
“Me Milanin kam kaluar kohë të mrekullueshme, në të dy rastet që vesha fanellën kuqezi, ndonëse duhet të pranoj se herën e parë përjetova një periudhë mjaft rezultative. Nuk mund të them se kam rilindur te Sassuolo, pasi nuk kisha vdekur asnjëherë, por më pëlqen roli i ri në të cilin më aktivizon De Zerbi, pasi kam mundësi të jem më pranë portës dhe mbi të gjitha të sakrifikohem për skuadrën. Do të doja shumë të shënoja edhe ndaj Milanit, por një gjë është e sigurt, se nuk do të festoj, nëse dërgoj topin në rrjetë”, deklaroi Boateng.
Top Channel