Ndalimi i makinave të vjetra, pritet miratimi i vendimit që pengon importin

28/09/2018 19:53

Vendimi për ndalimin e importit të automjeteve me moshë më të vjetër se 10 vjet është në pritje për të kaluar në mbledhjen e qeverisë dhe dy ministrat përgjegjës, ai i Infrastrukturës dhe i Mjedisit tashmë e kanë firmosur.

Sipas projektit, do të ndalohet kategorikisht importi i autoveturave me mbi 10 vite moshë dhe standardi i motorit duhet të jetë Euro 5.

Për kamionët dhe autobusët mosha e lejuar për t’u importuar do të jetë 15 vite. Një hapësirë ka për mjetet me interes historik dhe koleksionimi, të cilat do të lejohen të importohen nëse janë prodhim i para viteve ‘70.

Për automjetet e targuara tashmë nuk ka kufizim moshe për të qarkulluar në rrugët e Shqipërisë dhe as nuk ndalohet shitja, ndërkohë që nëse një mjet është futur në Shqipëri dhe nuk është zhdoganuar deri në 31 dhejtor të vitit 2018, më pas nuk do të lejohet të regjistrohet.

Shqipëria ka një flotë mesatare automjetesh me moshë të vjetër rreth 20-vjeçare dhe qeveria synon përmes këtij vendimi që të ulë ndotjen e ajrit.

Në vitin 2016, koncesionari që ka shërbimin e kontrollit të kolaudimit ka kryer rreth 400 mijë matje të emetimeve të gazrave të mjeteve rrugore me motor. Më problematike duken makinat me benzinë. Gati 27% e tyre kanë ngelur për tejkalim të normave të emetimit të gazrave. Sipas një raporti të Ministrisë së Infrastrukturës, faktori kryesor që ndikon në testimet e dështuara të emetimit është furnizimi me karburante të pakontrolluara.

Në anën tjetër, tregu i importit të makinave të përdorura zë peshën kryesore në targimin për herë të parë të një mjeti në Shqipëri dhe ndalimi i importit për makinat me moshë mbi 10 vite pritet të rrisë shpezimet që i duhen një qytetari për të zotëruar një autoveturë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA