Mungesa e rezultateve me Milanin, “hija” e Contes fillon të përndjekë Gattuson

28/09/2018 00:00

Barazimi i të enjtes në mbrëmje kundër Empolit ishte i treti radhazi për Milanin dhe gjithashtu mund të konsiderohet si një nga më zhgënjyesit.

Kjo pasi skuadra shfaqi sërish të njëjtat dobësi, mungesë përqendrimi dhe eksperience në menaxhimin e avantazhit, të cilin e shpërdoroi dy herë të dielën kundër Atalantës, dhe një herë sot kundër Empolit.

Vetë trajneri Gattuso pranon momentin e vështirë që skuadra po kalon, teksa foli për probleme psikologjike dhe tha se shpreson që të rikuperojë sulmuesin Higuain për sfidën e fundjavës ndaj Sassuolos.

“Nuk mund të themi se jemi skuadër e madhe në këto momente, të paktën përderisa rezultatet mungojnë. Kjo ka bërë që të shfaqemi të dobët psikologjikisht dhe të mos arrijmë të mbyllim ndeshjet, apo të menaxhojmë avantazhin. Shpresoj që për transfertën e fundjavës ndaj Sassuolos, të rikuperojmë Higuainin, i cili do të na bënte shumë punë në sulm.

Në 5 takimet e para Milani ka arritur të marrë vetëm 6 pikë dhe momentalisht renditet në vendin e 14 në kampionatin italian, ndërsa tashmë janë lëkundur ndjeshëm edhe pozitat e teknikut të kuqezinjve.

Antonio Conte vijon të jetë i papunë dhe emri i tij “ndez” fantazinë jo vetëm të tifozërisë, por edhe të drejtuesve të Milanit, që shikojnë te ish juventini njeriun e duhur për t’i dhënë identitet skuadrës.

Testi i radhës në Reggio Emilia përballë Sassuolos do të jetë vërtetë i rëndësishëm për të ardhmen e Gattusos, pasi një tjetër rezultat negativ mund të pasohet me vendimin për shkarkimin e tij.

Top Channel