Askush në Serie A nuk do ta mendonte këtë sezon se në majën e shënuesve më të mirë, pas plot 6 javësh, do të ishte një futbollist me emrin Krzysztof Piatek.
Në një kampionat me cilësi sulmuese shumë të mira dhe me emra të zbarkuar së fundmi si Cristiano Ronaldo, më shumë se të gjithë po bën bujë forma e bomberit të skuadrës së Genoas, me golin e 6 në 5 ndeshje.
Seria e pabesueshme e shënimit të futbollistit kuqeblu ka tërhequr vëmendjen e gjysmës së klubeve europiane, e agjentët e ekipeve më të mira kanë nisur të sondojnë terrenin sesa mundësi ka që ta blejnë.
Juventusi ishte i pari që trokiti në derën e Genoas për sulmuesin polak, një futbollist që i kushtoi skuadrës nga Liguria vetëm 4 milionë euro këtë verë.
Tani, vlera e tij ka arritur në thuajse 50 milionë euro, një shifër e destinuar të rritet nëse Krzysztof Piatek do të mbyllë sezonin aty ku është aktualisht, mbi të gjithë sulmuesit e shquar në kampionatin e Apenineve.
Në La Liga dhe në kampionatin anglez janë shtuar admiruesit për një lojtar që konsiderohej anonim në nisjen e muajit shtator, por tani do të jetë mes emrave që do të ndezin merkaton e janarit.
Top Channel