Pas një sezoni mes vështirësish dhe peshës së mos shënimit të asnjë goli, Antonio Candreva ishte shumë pranë largimit nga Interi në verë, me zikaltrit që kishin arritur një akord huazimi me Monacon, në marrëveshjen e transferimit të Keita Baldesë.
Gjithsesi sulmuesi i djathtë i zikaltërve dhe Italisë vendosi të refuzojë largimin dhe lëshoi sfidën për të rifituar besimin e teknikut të Interit dhe për të rigjetur afeksionin me tifozërinë në Milano.
“Është e vërtetë, në verë isha shumë pranë largimit, por zgjodha që të qëndroj, pasi isha i bindur se kisha ende shumë për të dhënë për këtë fanellë dhe vijoj të jem i bindur që kam marrë vendimin e duhur”, deklaroi Candreva në një intervistë.
Sulmuesi anësor gjeti golin e parë sezonal në sfidën me Bolognën, të cilën e Interi e fitoi me rezultatin 0-3, ndërsa në takimet në vijim ka gjetur mjaft hapësira nga Spalletti dhe ka treguar një nivel të kënaqshëm angazhimi.
“Më peshonte shumë fakti që nuk po arrija të shënoja. Të luash një sezon si titullar dhe të mos gjesh asnjëherë rrjetën, nuk është aspak një situatë e këndshme për një sulmues. Më vjen mirë që arrita ta largoj këtë peshë në Bologna dhe shpresoj që ai gol të më shërbejë për të shkuar drejt një sezoni mjaft të mirë në aspektin personal”, u shpreh Antonio Candreva.
Top Channel