Presidenti i SHBA, Donald Trump tha se kishte rënë dakord me kryeministrin japonez Shinzo Abe të mërkurën për të filluar bisedimet mbi një marrëveshje dypalëshe të tregtisë së lirë që Tokio e kishte refuzuar më herët.
“Ne kemi rënë dakord sot që të fillojmë negociatat tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë,” tha Trump në një samit me Abe në Nju Jork, ku po zhvillohet edhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.
“Kjo ishte diçka që për arsye të ndryshme ndër vite, Japonia nuk donte ta bënte dhe tani ata janë të gatshëm të negociojnë. Pra, ne jemi shumë të lumtur për këtë dhe jam i sigurt se do të arrijmë në një përfundim të kënaqshëm”, tha Trump.
Presidenti amerikan e ka bërë të qartë se është i pakënaqur me suficitin tregtar të Japonisë prej 69 miliardë dollarësh me Shtetet e Bashkuara, gati dy të tretat e saj nga eksportet e automjeteve, dhe dëshiron një marrëveshje dypalëshe për ta trajtuar atë.
Top Channel