Volker Kauder, kryetari i grupit parlamentar të aleancës në pushtet CDU-CSU dhe një prej aleatëve më të ngushtë të Angela Merkelit, e humbi pozicionin e tij.
Vetë unioni konservator votoi për largimin e Kauderit, çka u interpretua si provë e faktit që kancelarja gjermane po e humbet kontrollin e forcës së vet politike. Për shtypin vendas, tashmë po bëhet e qartë gjithmonë rritja e gadishmërisë së ligjvënësve konservatorë për braktisjen e shefes së ekzekutivit. Disa madje shkojnë deri aty sa ta konsiderojnë rrëzimin e Kauderit si fillimin e fundit të kohës së Angela Merkelit në krye të qeverisë.
Autoriteteti i saj mbi CDU-në nuk është më i njëjti si gjatë mandatit të mëparshëm, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Editorialisti i saj, Jasper von Altenbockum e shpjegon këtë fenomen me tkurrjen e pashmangshme të ndikimit që ka një lider kur po i afrohet fundit të tij në detyrë. Për 13 vjet, Merkeli e ka shtyrë partinë e vet drejt qendrës së majtë, duke lënë prapa shumë votues, aleatë dhe të gjithë kulturën demokratike, thotë e përditëshmja bavareze “Münchener Merkur”. Tani, shton gazeta, partia e saj, e zhgënjyer nga trashëgimia e politikës së emigracionit dhe neglizhimi rutinë i lidershipit ndaj ndjenjave të votuesve, refuzon të shkojë më tej.
Volker Kauder ishte njeriu i besuar i Merkelit, thuhet më tej. Rënia e tij tregon se fuqia e regjentit të Merkelit mbështetet vetëm mbi shpatullat e një grushti të vogël njerëzish, ama nuk është rrënjosur në themelin vendimtar të demokracisë: popullin.
Largimin e Kauderit, “Stuttgarter Zeitung” e sheh dhe ajo si ndëshkim për Merkelin, por edhe për ministrin e Brendshëm, Seehofer.
Top Channel