Hetim “dëshmisë së policit”. Policia dhe prokuroria po verifikojnë deklarimet

27/09/2018 15:07

Menjëherë pas denoncimit të oficerit të policisë Emiljano Nuhu, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave ka nisur një hetim të thelluar mbi deklarimet e tij.

Sipas burimeve, nga ky shërbim në pyetje janë marrë dhe do të merren të gjithë efektivët që përmenden në rrëfimin e oficerit Nuhiu, sipas të cilit ai nuk gjeti asnjë mbështjeje për të vijuar detyrën dhe ndaj kërcënimeve që mori vazhdimisht nga njerëz të afërm të deputetit socialist Rrahman Rrahja dhe djalit të tij që akuzohej për përdhunimin e një vajze.

Sipas verifikimeve të SHÇBA, në Prokurorinë e Tiranës është dërguar kallzim nga komisariati nr. 6, ku oficeri Nuhu u paraqit pas kërcënimeve që, sipas tij, mori në një lokal ku u takua me dy persona të afërm të deputetit Rrahja.

Ndërkohë, sipas burimeve, për rastin ka nisur një verifikim edhe nga Prokuroria e Tiranës. Nga ana tjetër, specialistë të ShÇBA-së kanë zbarkuar edhe në Komisariatin e Krujës dhe stacionin policor të Fushë-Krujës, ku po verifikojnë të gjitha procedurat e kryera për rastin si dhe po marrin dëshmi nëse ditën që pretendon oficeri Nuhu, në mjediset e stacionit policor kanë hyrë persona të paautorizuar, si deputeti Taulant Balla, kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi apo njerëz të tjerë të afërm të deputetit Rrahja.

Top Channel