Derbi me Partizanin, Ze Maria i Tiranës: Të shkruajmë historinë

27/09/2018 14:19

Më pak se 24 orë nga derbi i kryeqytetit, Tirana-Partizani, gjithçka duket se është gati. Në konferencën e tij për shtyp përpara ndeshjes, trajneri brazilian i Tiranës duket i qetë pas ngjarjeve në Korçë dhe i bindur se për ndeshjen derbi do të kenë mundësinë të marrin 3 pikët.

“Gjendja e skuadrës është e mirë. Pas ndeshjes me Skënderbeun luajtëm edhe në Kupë, ku fituam. Për ju dhe të gjithë shqiptarët kjo është ndeshja më e rëndësishme e vitit, por për ne është një sfidë ku do të duhet të marrim 3 pikët. Është një ndeshje e rëndësishme, ne duhet të luajmë si në ndeshjet e fundit për të marrë 3 pikët, që është edhe objektivi ynë”, tha Ze Maria.

Fakti që as Ze Maria dhe as një pjesë e mirë e lojtarëve nuk kanë ndonjë histori personale me ndeshjet derbi të fundit të luajtura kundër Partizanit, shumicat e të cilave janë humbur nga Tirana, për trajnerin bardheblu është diçka e mirë. Ai thekson se ndoshta është momenti që nga nesër të fillojnë të shkruajnë historinë e tyre për skuadrën e Tiranës.

“Duhet të shkruajmë emrin në historinë e këtij klubi. Është shumë e rëndësishme dhe futbollistët e dinë këtë. Sa herë vij këtu, shoh fotot dhe javën e kaluar folëm me presidentin për Tiranën e madhe të viteve ’70. Kam folur me futbollistët, duam të bëjmë një pjesë të historisë dhe mundësinë e kemi”, tha Ze Maria.

Ndeshja mes Tiranës dhe Partizanit do të luhet të premten në orën 19:45, në “Selman Stërmasi”, dhe për herë të parë në këtë sezon ky stadium do të jetë i mbushur plotësisht, pasi biletat e parashikuara për këtë përballje, rreth 7.000 të tilla sa ç’është edhe kapaciteti maksimal i stadiumit, janë të shitura.

Top Channel