Kandidati i Trump për anëtar i Gjykatës së Lartë, Brett Kavanaugh dhe gruaja që e ka akuzuar se e ka sulmuar seksualisht kur të dy ishin adoleshentë, kanë të dalë këtë të enjte para Senatit, e dëshmitë e sotme mund të përcaktojnë balancën e organizmit më të lartë juridik të vendit.

Christine Blasey Ford paraqiti versionin e saj të incidentit që ajo thotë se ka ndodhur, sipas së cilit, Kavanaugh e sulmoi gjatë një feste kur të dy ishin në shkollë të mesme. Në një deklaratë të përgatitur paraprakisht që u bënë publike të mërkurën, zonja Ford jep detaje për incidentin e verës së vitit 1982, ku ajo thotë se zoti Kavanaugh i dehur dhe shoku i tij, Mark Judge, e futën me forcë në një dhomë, e kyçën derën dhe e sulmuan.

“Kujtova se do të më përdhunonin”, u shpreh ajo para komisionit të Senatit, duke shtuar se në atë kohë ishte shumë e frikësuar dhe turpëruar t’i tregonte njeriu dhe nuk dha detaje të incidentit deri shumë vite më pas, kur i tregoi bashkëshortit të saj dhe foli për to në seanca terapie.

Edhe zoti Kavanaugh, që do të shfaqet veçmas para Komisionit Juridik të Senatit, bëri publik tekstin e deklaratës së tij hapëse. Ai mohoi me force sulmin për të cilin e akuzon zonja Ford dhe akuzat nga persona të tjerë, duke i cilësuar si shpifje të minutës së fundit.

Ai tha se goditje të tilla ndaj karakterit, nëse lejohen të arrijnë qëllimin do të shkurajojnë njerëz të zotë dhe të mirë nga të gjitha bindjet politike, që t’i shërbejnë vendit dhe shtoi se nuk do të binte pre e frikës dhe të tërhiqej nga procesi i konfirmimit.

Top Channel