Botërori i volejbollit, Serbia e Brazili sigurojnë fitore me vlera

27/09/2018 11:32

Serbia bën një hap të madh drejt fazës gjysmëfinale të Botërorit të volejbollit për meshkuj. Në ndeshjen e parë të grupit J, në “Final Six”, skuadra serbe mundi skuadrën e një prej vendeve organizatore, Italinë, me rezultatin e pastër 3-0.

Në ndeshjen me Italinë, Serbia ishte superiore në të gjitha aspektet dhe e fitoi atë me më shumë lehtësi nga sa u mendua, me rezultatin 3-0 dhe me sete 25-15, 25-20 dhe 25-18.

Italia ishte e pafuqishme për të reaguar ndaj Serbisë dhe në fund u dorëzua pa kushte. “Të kaltërve” do t’u duhet tani që të fitojnë ndaj Polonisë, por gjithçka do të varet nga ndeshja që kjo e fundit do të luajë me Serbinë, me këtë të fundit që do t’i mjaftojë të fitojë edhe vetëm një set për të qenë mes 4 më të mirave të turneut.

Rusia dhe Brazili ishin protagoniste të një ndeshjeje spektakolare mes tyre, por në fund, e fituar doli skuadra amerikano-latine, që e mbylli këtë ndeshje me rezultatin 3-2.

Rusia u duk se do ta bënte të sajën këtë ndeshje, kur u pa që të fitonte dy setet e para me rezultatet 25-20 dhe 25-21, por në volejboll shpesh ndodh që avantazhi 2-0 me sete nuk është garanci për fitoren e takimit dhe Rusia e provoi këtë në lëkurën e saj.

Brazili reagoi dhe fitoi tri setet e tjera me rezultatet 25-22, 25-23 dhe 15-12. Tashmë për Rusinë detyra e kualifikimit për në gjysmëfinale bëhet shumë e vështirë, pasi do t’i duhet me çdo kusht që të fitojë në ndeshjen e radhës me SHBA, ndaj së cilës ka humbur edhe në fazën e parë të grupeve të Botërorit të volejbollit.

Top Channel