Spalletti drejton për herë të 450: E dimë historinë, duam të bëjmë mirë

26/09/2018 00:48

Luciano Spalletti drejtoi sot për herë të 450 në kampionatin italian dhe djemtë e tij te Interi i dhuruan një fitore 2-1 ndaj Fiorentinës, ndonëse në një 90-minutësh mjaft të vuajtur.

Tekniku zikaltër pranoi vështirësitë në këtë takim, por tha se lojtarët e dinë mirë historinë e Interit dhe se janë gati për të tentuar të bëjnë gjëra të mëdha.

“Jam shumë i lumtur që isha në pankinë sonte, pasi ishte hera e 450 për mua dhe kjo është domethënëse. Sa i përket takimit me Fiorentinën, patëm disa momente të vështira dhe disa gjëra mund t’i bënim më mirë, por në tërësi jam i kënaqur”, deklaroi Spalletti.

Tekniku zikaltër shpjegoi edhe zgjedhjet e tij në formacion, teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve për zëvendësimin e vazhdueshëm të Candrevës, në lojë e sipër.

“Ju më duket se keni harruar që javën e ardhshme do të luajmë sërish në Champions. Në fundjavë ndaj Cagliarit, Gagliardini, Dalbert dhe ndonjë tjetër do të luajnë patjetër, pasi nuk mund të luajnë në Champions. Më duhet të bëj disa zgjidhje, për të racionalizuar forcat dhe për të pasur lojtarë të freskët fizikisht në çdo takim. Me Candrevën jam shumë i kënaqur dhe e kam zëvendësuar thjesht për të futur një tjetër më të freskët në fushë”, tha trajneri i Interit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA