E gjithë kupola e policisë në resortin bregdetar meksikan të Acapulcos është vënë nën hetim, pas dyshimeve se mes tyre janë infiltruar edhe narkotrafikantë.
Dy komandantë të akuzuar për vrasje janë në kërkim, ndërsa pjesa tjetër e policisë së qytetit është çarmatosur. Policia shtetërore dhe ushtria do të patrullojnë në qytet gjatë periudhës së hetimit.
Acapulco është bërë i famshëm si një destinacion për njerëzit e pasur dhe të famshëm, por ajo ka rënë shpesh prè e tregtisë së drogës, ndërsa ka edhe një normë të shfrenuar vrasjesh.
Vitin e kaluar, norma e vrasjeve shkonte në 103 për 100 mijë banorë, një nga më të lartat në Meksikë.
Shteti i Guerreros, pjesë e të cilit është qyteti Acapulco, është një nga më të dhunshmit në vend, teksa grupet kriminale kontrollojnë zonat ku rriten lulet prej të cilave prodhohet edhe heroina.
Hetues federalë kanë thënë se u është dashur të marrin këtë hap “për shkak të dyshimeve se mes uniformave blu ka të infiltruar pjesëtarë të grupeve kriminale” dhe gjithashtu për shkak të “mosveprimit” në luftën kundër krimit.
Për shkak të pagave të ulëta dhe trajnimit të munguar, policia lokale në Meksikë mund të bëhet shpresh objektiv i lehtë i karteleve të drogës. Ka raportime se gangsterët u ofrojnë atyre parà për t’iu bindur udhëheqësve të tyre, e madje i kërcënojnë me vrasje nëse nuk e bëjnë këtë gjë. Edhe në disa rajone të tjera të Meksikës, policitë lokale janë çarmatosur mes shqetësimeve se paguhen nga kartelet e drogës.
Top Channel