Kina nuk lejon luftanijen amerikane të ankorohet në Hong Kong

26/09/2018 09:44

Qeveria e Kinës ka bllokuar një anije të Marinës amerikane të ankorohet në Hong Kong mes mosmarrëveshjeve gjithnjë e në rritje diplomatike mes dy vendeve, për shkak të sanksioneve strikte ushtarake të vendosura nga Uashingtoni.

Anija sulmuese amfib “USS Wasp”, e krahasueshme me një aeroplanmbajtëse të vogël dhe me një ekuipazh prej mbi 1.000 marinarësh kishte planifikuar të ankorohej në portin e Hong Kongut muajin e ardhshëm, sipas asaj që deklarojnë dy zyrtarë amerikanë.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Pekini anulon vizitën e një luftanijeje amerikane në shenjë proteste. Rasti më i fundit ishte ai kur Kina i refuzoi aeroplanmbajtëses “USS John C. Stennis” të ankorohej në Hong Kong në vitin 2016, kohë kur në anijen në fjalë udhëtonte edhe ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, gjatë një vizite në detin e Kinës Jugore.

“Pala kineze rishikon dhe aprovon kërkesa të tilla në përputhje me parimet e sovranitetit dhe në dritën e situatave specifike, rast pas rasti”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Geng Shuang.

Lëvizja e fundit e Kinës pritet të përkeqësojë edhe më tej marrëdhëniet tejet të dobëta mes Uashingtonit dhe Pekinit, që pësuan goditjen më të madhe gjatë javës së kaluar pas sanksioneve të reja amerikane mbi ushtrinë kineze, arsyeja e të cilave ishte blerja e armatimeve ruse.

Përgjigjja kineze ndaj sanksioneve të reja amerikane ishte e shpejtë dhe e rëndë. Vendimi për të anuluar ankorimin në portin e Hong Kongut vjen pas atij të Pekinit për t’u tërhequr edhe nga një takim i niveleve të larta mes komandantëve të marinave kineze e amerikane, që pritej të mbahej këtë javë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA