Një studim i ri ka dalë në faqet e para të gazetave, me premtimin se sëmundja e Alcajmerit mund të shërohet brenda gjashtë vitesh. Por a jemi vërtet në prag të një shërimi të plotë?

Me dëmet fizike, emocionale e financiare që shkakton Alcajmeri dhe sëmundje të tjera mendore, diçka që vetëm sa përkeqësohet me plakjen e popullsisë, ky zbulim do të ishte shumë i madh. Por, si gjithnjë, gjërat janë më të ndërlikuara se aq.

Për t’u treguar të drejtë me kërkuesit e universiteteve të Kembrixhit dhe Lundit, vetë deklarata e tyre për shtyp i qëndron larg premtimeve të tilla kaq specifike. Thjesht thotë që testet e një ilaçi, të bazuar mbi rezultatet e tyre, mund të nisin brenda dy vitesh. Deklaratat e bujshme duket se vijnë nga autori i një studimi, i cili bën krahasime (personale?) me eksperimente të tjera që janë në zhvillim e sipër.

Pra, a është ky një tjetër parashikim që do të përfundojë me zhgënjime, siç ka ndodhur shpesh kohët e fundit?

Në fakt, këtu ka vend për optimizëm. Shumë ekspertë thonë që plot ilaçe të eksperimentuara më parë nuk kanë arritur ta mposhtin Alcajmerin, ngaqë kanë shënjestruar pjesën e gabuar. Për vite me radhë është menduar se një element kyç për zhvillimin e sëmundjes ishte prania e pllakave amiloide, mbetje proteinash që mblidhen midis neuroneve në trurin e prekur nga sëmundja. Ka kuptim të logjikshëm, që po të mblidhen masa proteinash rrotull lidhjeve të ndërlikuara nervore, proceset neurologjike do të ndërpriten. Kështu që po t’i heqësh mbetjet, truri duhet të funksionojë më mirë.

Pleksja e fijeve nervore ndodh kur proteinat e shformuara dëmtojnë sistemet e brishta qelizore.

Por prapë, kjo nuk ka ndodhur. Ilaçet që supozoheshin se mund t’i largonin pllakat amiloide nuk sjellin përmirësime. Mos vallë është e gabuar e gjithë teoria që Alcajmeri krijohet nga pllakat amiloide?

Sipas shumë studiuesve, po. Në vitet e fundit, vëmendja është kthyer te studime të tjera. Një prej tyre është se proteinat e shformuara mblidhen brenda qelizave të trurit, jo midis tyre. Pleksja e fijeve nervore, për shembull, ndodh kur proteinat e shformuara grumbullohen brenda neuroneve dhe dëmtojnë sistemet e brishta qelizore.

Megjithatë, shumë të tjerë, përfshi ata që po merren me studimin në fjalë, thonë se janë oligomeret (molekula më të vogla që krijohen natyrshëm brenda neuroneve) ato që e shkaktojnë dëmin, dhe që pleksja e fijeve dhe pllakat janë pasojë e tyre. Prandaj, heqja e depozitave më të mëdha molekulare është njësoj si të heqësh një peshk të ngordhur nga ujësjellësi i fshatit: pra, nuk është se duhen, por as nuk janë shkaku i helmimit. Studimi i ri sugjeron që mund të ketë ilaçe që arrijnë të merren me burimin e sëmundjes, jo me pasojat që sëmundja ka lënë gjatë rrjedhës.

Si gjithnjë, këshillohet vetëpërmbajtje, mes gjithë entuziazmit. Fundja, po flasim për një ndërhyrje në procese molekulare që janë shumë të imëta, që ndodhin brenda çdo qelize të trurit. Sado e nevojshme dhe e dobishme që të jetë ndërhyrja, mundësia për efekte anësore është pa dyshim shumë e madhe, ndaj të nxitosh e të shpresosh për më të mirën është strategji shumë e rrezikshme.

Është edhe çështja e debatueshme e përdorimit të fjalës “shërim” në shumë raportime që i janë bërë lajmit. Edhe sikur ilaçi të funksionojë 100%, siç shpresohet, dëmi që ka shkaktuar Alcajmeri e sëmundje të tjera në tru është i ashpër dhe me veprim të gjerë. Truri i njeriut, sidomos në moshë të madhe, ka nuk ka shumë aftësi për t’i ndrequr dëmet në rrethana të tilla. Truri i njeriut funksionon falë rrjeteve të ndërlikuara dhe lidhjeve shumë specifike midis zonave të ndryshme të tij, të cilat vijnë si rezultat i një jete të tërë përvoje dhe zhvillimi.

Alcajmeri u jep dëme shkatërruese neuroneve. Edhe pse ndalimi i procesit nuk do ta lejojë sëmundjen të përkeqësohet, nuk do të thotë që do të ketë shërim në mënyrë automatike. Edhe po të gjendet një mënyrë për të zëvendësuar qelizat e humbura në zonat e dëmtuara të trurit (gjë që s’e bëjmë dot), s’mund të thuash “shërim i plotë” pa ditur se si t’i rikthesh siç ishin përpara sëmundjes.

Megjithatë, çdo arritje është gjë e mirë. Por a i jemi afruar shërimit të Alcajmerit? Sado e rëndomtë mund të duket mbyllja e shkrimit me një frazë të zakonshme shkencore, ndonjëherë është thjesht e vërteta: duhen bërë kërkime të mëtejshme.

Dean Burnett, the Guardian

Dean Burnett është doktor neuroshkence. Plakjen dhe sëmundjet e trurit i diskuton në librin e tij më të fundit, “The Happy Brain”

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA